EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Filkov: 100 ditë kushtuar reformave në drejtësi dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në sistem!

Filkov: 100 ditë kushtuar reformave në drejtësi dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në sistem!

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov mbajti konferencë për media me rastin e 100 ditëve të Qeverisë së re, në të cilën informoi për aktivitetet e ndërmarra, projektet që janë realizuar, si dhe për prioritetet e ardhshme të Ministrisë së Drejtësisë.

Në vazhdim fjalimi integral i ministrit Filkov:

 

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Si Ministër i Drejtësisë, këtu para jush kam kënaqësinë të prezantoj rezultatet e 100 ditëve të para të punës sonë. Ministria e Drejtësisë i krijon themelet e sistemin juridik, që i nënkupton këtu të tre autoritetet: legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Gjithashtu, në vitet e kaluara, e veçanërisht në 100 ditët e fundit, gjyqësori është fusha ku shteti ka marrë më shumë kritika. Kësaj ju bashkëngjitën dhe  komentet për rritjen e korrupsionit, veçanërisht në institucionet e drejtësisë. Prandaj pritshmëritë e të gjithë publikut nga kjo ministri janë të mëdha dhe me të drejtë.

Priten rezultate, jo vetëm për ndryshimin e politikave lidhur me gjyqësorin, por edhe çdo qytetar shpreson që procedurat pranë gjykatave ku kërkon mbrojtjen e të drejtave të tij të jenë të ligjshme, pa shtyrje dhe pa asnjë dyshim për ndikime korruptive. Qytetarët presin gjithashtu që edhe nëse shkelen parime të tilla të procedurave pranë gjykatave, do të vijon përgjegjësi dhe masa për personat që e kanë kryer atë. Vetëm në atë  mënyrë mund të rikthehet besimi i publikut në sistemin gjyqësor.

Përballë një sfide të tillë, është më e lehtë të jepet përgjigje se koha e kaluar është shumë e gjatë për të parë ndryshimet, por fakti është se pikërisht në këtë segment, për ligjin dhe drejtësinë, na  pret shumë punë.

Rruga që kemi marrë nuk është e lehtë. Por është rrugë që ne jemi të vendosur ta ecim dhe nuk do të ndalemi. Që në fillim, kjo Qeveri është angazhuar për reforma të thella, thelbësore dhe me ndikim .Qytetarët në vend meritojnë sistem drejtësie që funksionon në mënyrë të barabartë për të gjithë, sistem që nuk do t'i nënshtrohet presioneve, ndikimeve dhe korrupsionit.

Gjatë 100 ditëve të fundit, ne kemi hedhur themelet e hapave tanë reformues që synojnë ndërtimin e sistemit transparent, efikas, në të cilin nuk do të ketë vend për korrupsion.

 

 

Çfarë kemi bërë për 100 ditë?

  1. Ne mbajtëm mbi 86 takime, gjatë të cilave u takuam me shumë ambasadorë, përfaqësues të Odave profesionale, ekspertë vendas dhe të huaj, organizata civile dhe organizata sindikale. Secila prej takimeve rezultoi me ide të re, iniciativë dhe bashkëpunim të ardhshëm. Mund të them lirishtë se marrëdhëniet tona me partnerët ndërkombëtarë kurrë nuk kanë qenë më të forta. Tani për tani në Ministrinë e Drejtësisë, punojnë së bashku me ne ekspertë francezë dhe të tjerë, duke ofruar mbështetje për reformat e nevojshme në gjyqësor.
  2. Ne anuluam vendimin e Qeverisë së kaluar për dhjetëfishimin e Tarifës së noterisë – si përgjigje e reagimit të bujshëm të qytetarëve, lidhur me  rritjen e pabazë të tepruar të tarifës, të bërë menjëherë para largimit të qeverisë së kaluar.
  3. Si rezultat i takimeve me disa organizata sindikale, filluam hartimin e Ligjit të ri për shërbimin gjyqësor, duke konsideruar se për reforma thelbësore në gjyqësor nuk mjafton fokusimi vetëm tek gjykatat, statusi dhe përgjegjësia e tyre.  Sistemi gjyqësor përbëhet gjithashtu nga mijëra punonjës si nëpunës gjyqësor, persona që kryejnë punë teknike dhe ndihmëse në gjykata dhe policë gjyqësor pa të cilët gjykata nuk mund të funksionojë. Pikërisht prej tyre dhe me qëllim të rregullimit të statusit të tyre, fillojnë reformat në gjyqësor.
  4. Mbajmë takime të rregullta pune me Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, por njëkohësisht kemi mbajtur takim me drejtorët e burgjeve, ku kanë vënë në dukje problemin e zjarrtë të mungesës së policisë së burgjeve, pothuajse në të gjitha institucionet e burgjeve. Problem i vënë në dukje nga organizatat sindikaliste të policisë së burgjeve, duke  kërkuar zgjidhje urgjente, me qëllim për të mundësuar sigurinë e institucioneve, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Për atë qëllim kërkohen zgjidhjet e duhura dhe po shqyrtohen zgjidhjet e mundshme, ndër të cilat dhe  procesin e  marrjes së personave nga ARM që do të dalin në pension, në policinë e burgjeve.
  5. Hynë në fuqi marrëveshja ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për verifikimin e deklaratave të gjendjes pronësore dhe Konventa e Këshillit të Evropës për qasje në dokumentet zyrtare.
  6. Kemi përgatitur ndryshime ligjore në Ligjin për ndihmë juridike falas, të cilin Kuvendi i ka miratuar tashmë. Me këtë është zgjeruar qasja në drejtësi për qytetarët më të rrezikuar në shoqërinë tonë.
  7. Si rezultat i takimeve të shumta me publikun ekspert, organizatat civile dhe ndërkombëtare, kemi mbajtur dëgjime publike për Ligjin e Procedurës Penale për modernizimin dhe racionalizimin e mëtutjeshëm të proceseve tona juridike, pas së cilës do të kalojmë në procedurë qeveritare.
  8. I jemi afruar përfundimit të procesit të disa dekadash për  kodifikimin e legjislacionit civil. Me kërkesë të organizatave civile dhe publikut profesional, janë planifikuar dëgjime publike për Kodin Civil me qëllim që të prezantohet  koncepti, por edhe për të dëgjuar komentet dhe idea për përmirësimin e konceptit, i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë juridike të qytetarëve.
  9. Mundësuam zbatimin e plotë të sistemit Femida –sistem audio-vizual për regjistrimin e seancave gjyqësore që do të sigurojë transparencë në proceset gjyqësore, pranë gjykatave të të gjithë territorit të vendit, përfshirë këtu dhe Gjykatën Administrative. Ky sistem paraqet hap të madh përpara në sigurimin e përgjegjësisë në gjyqësor ndaj publikut. Kjo është pritur për 14 vjet.

Por ky është vetëm fillimi.

Reformat që kemi ndërmarrë në këto 100 ditët e para kanë hedhur bazat për ndryshime më të thella dhe më me ndikim që do të vijnë.

Vizioni ynë për të ardhmen e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut është ai ku:

  • Gjyqësori është plotësisht i pavarur, i lirë nga ndikimi politik dhe i përgjegjës para qytetarëve të cilëve u shërben.
  • Çdo qytetar, pavarësisht statusit apo gjendjes së tij pasurore e të tjera, ka qasje të barabartë në përfaqësim të drejtë dhe në gjykim të drejtë.
  • Çdo qytetar të bindet se korrupsioni në sistemin e gjyqësorit do të çrrënjoset plotësisht, e ata që tentojnë ta fundosin sundimin e të drejtës, të thirren në përgjegjësi.
  • Në muajt në vijim do të iniciojmë debate publike për ndryshimet ligjore që do të jenë të hapura për sugjerime dhe kritika, veçanërisht debatet për Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Prokurorinë Publike. Këto diskutime nuk do të jenë sipërfaqësore. Ato do të jenë gjithëpërfshirëse, do të përfshijnë të gjithë aktorët përkatës dhe do të synojnë të krijojnë zgjidhje që do të garantojnë pavarësinë e këtyre institucioneve.
  • Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Publike duhet të jenë të lira nga çdo lloj ndërhyrje politike, duke funksionuar vetëm në shërbim të drejtësisë.
  • Këto organe do të reformohen për të funksionuar me integritetin maksimal, duke u fokusuar në profesionalizmin dhe respektimin e rreptë të shtetit të së drejtës.

Në realizimin e këtij aktiviteti sfidë e madhe është fakti se Ministria e Drejtësisë nuk e posedon dokumentin e shumë përmendur me rekomandimet e Misionit vlerësues të Komisionit Evropian në lidhje me Këshillin Gjyqësor. Edhe pse dokumenti është informacion i klasifikuar, i njëjti është marrë nga paraardhësi im, prandaj Ministria nuk e ka. Si rezultat i kësaj, jemi të detyruar të mbështetemi në versionet elektronike vetëm të një pjese të dokumentit, i cili përmban vetëm rekomandimet, pa arsyetimet përkatëse dhe shkresën zyrtare të Komisionit Evropian.

Kjo është vetëm një pjesë e vogël e aktiviteteve të paralajmëruara që do të menaxhohen nga Ministria e Drejtësisë në periudhën e ardhshme. Na presin ndryshime thelbësore në:

  • fushën e noterisë për t'iu përgjigjur nevojave aktuale të qytetarëve, ekonomisë dhe zyrave noteriale;
  • fushën e përmbarimit, ku na pret procesi i harmonizimit të ligjit të ri me shërbimet e pagesave, tejkalimi i problemit me realizimin e ndërtimeve të ardhshme, krijimi i zyrave funksionale përmbaruese, e të tjera;
  • fushën e ndërmjetësimit në drejtim të krijimit të një trupi funksional për licencimin dhe mbikëqyrjen e ndërmjetësuesve dhe intensifikimin e procedurave të ndërmjetësimit;
  • fushën e Ndihmës Juridike Falas me qëllim të qasjes në drejtësi për secilinduke përfshirë azilkërkuesit, refugjatët dhe kategoritë e tjera  personave të rrezikuar.

Me qëllim të  mundësimit të  të punuarit efikas dhe zgjidhjes në kohë  të lëndëve, planifikojmë të fillohen ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me kufirin  e pensionimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve publik për shkak se kemi  zvogëlim të vazhdueshëm të numrit, që pasqyrohet në procedimin e lëndëve dhe përgatitjen e vendimeve  cilësore.

 

Të nderuar,

Para nesh kemi shumë punë. Nuk do të jetë e lehtë. Reforma e një sistemi kompleks si drejtësia kërkon këmbëngulje, guxim dhe mbështetje nga të gjitha sektorët e shoqërisë. Por ne jemi të përgatitur, megjithëse:

  • E mora Ministrinë në një mënyrë të pazakontë – pa pranim- dorëzim nga paraardhësi dhe kabinet plotësisht të zbrazur nga dokumentacioni i nevojshëm, por e mbushur me ombrella të sapoblera, bluza, çanta, gota dhe sende të tjera, secila në sasi mbi 200 copë dhe  faturë e papaguar prej 956.000 denarë për furnizuesin e tyre;
  • Gjeta resurse financiare seriozisht të zbrazura;
  • Mungesa e evidencës për marrjen dhe përdorimin e pajisjeve telefonë celularë, laptopëve, skuterëve elektrikë, etj., nga ofruesi i shërbimit celular, gjë që tregon për personalizimin e institucionit të Ministrisë së Drejtësisë nga ana e paraardhësit tim;
  • Park automjetesh jofunksional;
  • Dhe mund të them lirshëm një funksionalitet të rrënuar të Ministrisë.

Në fakt, gjeta njësi rajonale tërësisht të zbrazur të Ministrisë në Shkup, në Maqedoninë qendrore dhe lindore dhe një numër të madh çështjesh të pazgjidhura për NJF, kushte të këqija dhe të papërshtatshme pune. Në të kundërt, njësit rajonale të  Ministrisë në disa qytete kanë dhjetëra të punësuar dhe një numër të vogël lëndësh  për NJF.

 

Kjo tregon për një mungesë të madhe racionaliteti në krijimin e politikës së punësimit në Ministri, gjë që dëmton seriozisht gjithë konceptin e NJF në vend. Kjo gjendje është vërtetuar edhe nga Këshilli i Evropës dhe priten hapa urgjentë për të tejkaluar problemet me mungesën e personelit për NJF.

Në këto 100 ditë kemi dëshmuar se ndryshimi jo vetëm që është i mundur, por tashmë është në proces. Projektet që kemi iniciuar do të vazhdojnë dhe ndikimi i tyre vetëm sa do të forcohet.

Ju bëj thirrje të gjithë ju qytetarëve që të na bashkoheni në këtë rrugë. Së bashku, mund të ndërtojmë  sistem drejtësie që është i denjë për qytetarët,  sistem që mbështet sundimin e ligjit, shërben me integritet dhe funksionon me transparencë të plotë.

 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Accessibility Menu