Ministri i Drejtësisë Igor Filkov, në intervistë për mkd.mk, duke iu referuar agjendës reformuese dhe ligjeve të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë, deklaron se të gjitha afatet janë përmbushur në tërësi, madje disa janë përfunduar edhe para kohe.
“Puna jonë nuk matet me deklarata, por me rezultate konkrete. Faktet flasin se të gjitha ligjet që janë pjesë e kornizës reformuese janë përgatitur ose janë në fazën përfundimtare të miratimit. Një nga ligjet kyçe është Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, ku po fusim kritere të qarta, procedura të hapura dhe mekanizma për përgjegjësi. Janë precizuar kushtet për anëtarësim, është rregulluar shkarkimi, është forcuar transparenca. Kjo është një goditje për klientelizmin. Këshilli Gjyqësor nuk do të jetë më terren për marrëveshje të fshehta, por arenë për integritet dhe profesionalizëm. Ligji është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias”, thekson Filkov.
Në ENER është publikuar edhe Propozim-Ligji për Prokurorinë Publike, ku për herë të parë parashikohet një buxhet i veçantë.
“Nëse ndonjë prokuror deri dje varej nga vullneti politik për burime, nesër kjo do të përfundojë. Prokuroria do të fitojë pavarësi fiskale. Kjo nuk është vetëm një masë financiare – kjo është mburojë institucionale. Gjithashtu, garantohen procedura transparente për përzgjedhje dhe mekanizma disiplinorë. Kjo është një fillim i ri.
Në plan dhe përgatitje janë edhe: Propozim-Ligji për buxhetin gjyqësor, Propozim-Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, Propozim-Ligji për Shërbimin e Prokurorisë Publike, ndryshimet në Kodin Zgjedhor (me mbështetjen e ODIHR-it), ligje që rregullojnë pagat e gjyqtarëve, prokurorëve publikë dhe të shërbimit të prokurorisë publike (afati – qershor 2025), Ligji për Faljen, Ligji për Ekspertizën, Ligji për Noterinë, Ligji për Ekzekutimin, Ligji për Provën, Ligji për Zbatimin e Sanksioneve, Ligji për Konfiskimin e Pasurisë në Procedurë Civile, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, tregon ministri Filkov.
Në lidhje me Kodin Zgjedhor, ministri thotë se janë duke u bërë përgatitjet dhe është iniciuar procesi, por duhet të ketë pjekuri politike. Duhet pasur parasysh se legjislacioni zgjedhor kërkon konsensus të gjerë politik, dhe për këtë duhet qasje konstruktive dhe mbështetje nga faktorët kyç politikë në vend. Diçka që, për fat të keq, në ciklet e mëparshme zgjedhore ka rezultuar me mospërputhje midis versionit draft të përgatitur me mbështetjen e ODIHR-it dhe Kodit të miratuar nga Kuvendi.
Sa i përket pyetjes - pse ka dallime në afat? Disa janë të parashikuara në Agjendën Reformuese, të tjera në Programin Vjetor të Qeverisë – ministri i Drejtësisë Igor Filkov sqaron se Agjenda Reformuese përcakton afatin deri kur Kuvendi duhet të miratojë ligjin – ky është afati përfundimtar për miratimin e plotë. Nga ana tjetër, Programi Vjetor i Qeverisë përcakton afatin deri kur Ministria duhet ta përgatisë ligjin dhe ta dorëzojë – fillimisht në ENER (sistemi për konsultime publike), e pastaj në Qeveri. Kjo është një mënyrë për të siguruar kohë të mjaftueshme për debat publik, mendime nga Komisioni i Venecias, procedura qeveritare dhe debat në Kuvend.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov është i bindur dhe beson se do të rikthehet besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor.
“Besoj – jo vetëm si ministër, por edhe si qytetar. Drejtësia dhe përgjegjësia nuk vijnë vetvetiu, ato janë rezultat i punës së palodhur, konsekuente dhe të sinqertë. Detyra jonë është të vendosim standarde, të sigurojmë transparencë, por edhe të jemi zë të fuqishëm kur ka keqpërdorime. Qytetarët meritojnë institucione që funksionojnë, gjykata që gjykojnë drejt, dhe prokurori që veprojnë pa përzgjedhje. Kjo nuk është idealizëm – kjo është detyra jonë. Dhe do ta përmbushim”, tha ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
Të gjithë intervistën mund ta ndiqni në linkun vijues:
https://mkd.mk/makedonija/filkov-ova-e-udar-na-klientelizmot-sudskiot-sovet-povekje-nema-da-bide-teren-za-tajni-dogovori