Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka iniciuar procedurë për tërheqjen e vendimit për dhënien e pëlqimit për rritjen e tarifës së noterit, e cila është miratuar nga Qeveria e mëparshme dhe ish-Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga. Ministria e Drejtësisë inicon procedurë para Qeverisë për anulimin e pëlqimit të dhënë për tarifën, që do të jetë bazë për moszbatimin e vendimit të miratuar.
Përpara se të bëhen ndryshime të kësaj shkalle që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë në vend, është e nevojshme të hapet debat i gjerë.
“Sipas këtyre ndryshimeve, rritje më të madhe kishte në përgatitjen e akteve noteriale me vlerë më të vogël, të cilat janë të shpeshta tek qytetarët. Në rastin e akteve të qindra apo mijëra eurove, pothuajse nuk ka ndryshime ose rritja është minimale. Кjo nuk duhet të ndodhë dhe për këtë arsye ne po i tërheqim këto ndryshime. Çdo vendim që prek drejtpërdrejt qytetarët në të ardhmen do t’i nënshtrohet debatit të gjerë, gjegjësisht para se të sjellim ndonjë ndryshim, do të dëgjojmë se çfarë mendojnë të gjithë palët e interesuara dhe si do të reflektohet ai vendim”, tha në pres konferencën e sotme, Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.