Zëvendësministri i Drejtësisë Alen Dereban u drejtua në takimin e 15-të të Trupit Koordinues Kombëtar për Ndihmë Juridike Falas të organizuar nga Zyra Programore e Këshillit të Evropës në Shkup. Duke iu referuar aktiviteteve të Ministrisë së Drejtësisë, Dereban theksoi se është e një rëndësie të madhe sigurimi i qasjes në drejtësi për të gjithë, duke ofruar ndihmë juridike primare dhe sekondare falas për të gjithë ata që nuk mund ta përballojnë atë.
“Ky mjet është në dispozicion të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve, ata që plotësojnë kushtet kanë mundësi që shteti të paguajë të gjitha shpenzimet e tyre në proceset gjyqësore. Kjo përfshin shpenzimet e avokatit, ekspertizës, ndërsa do të lirohen nga pagesa e taksave gjyqësore. Nëpërmjet sistemit të ndihmës juridike falas, ne ofrojmë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e me këtë garantojmë barazinë ndërmjet njerëzve në rendin juridik. Nga praktika e deritanishme mund të konstatojmë se më së shumti kërkesa për ndihmë juridike falas, ka në fushën e së drejtës familjare, siç janë seancat e shkurorëzimit, kujdestaria e fëmijëve, procedurat e trashëgimisë, kontestet pronësore, të punës, marrëdhëniet debitore-kreditore për çështjet e sigurimit pensional dhe invalidor, për përfaqësim të viktimave të dhunës në familje, për konteste me kompanitë e sigurimit”, tha Dereban.
Trupi Koordinues Kombëtar për Ndihmën Juridike Falas i vendosur dhe i mbështetur nga Këshilli i Evropës është një mekanizëm i suksesshëm që mundëson koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm ndërmjet palëve kryesore të interesuara që ofrojnë ndihmë juridike falas, siç janë: Ministria, shoqatat e qytetarëve, klinikat ligjore dhe avokatët dhe e cila është që nga viti 2020.
Ministria, duke marrë parasysh konkluzionet e trupit kombëtar koordinues, propozoi ndryshimet në Ligjin për ndihmë juridike falas për harmonizim me Ligjin për ekspertizë, të cilat u miratuan në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë muajit shtator.
“Është obligimi ynë që të gjithë qytetarëve t'u sigurojmë mekanizma përkatës gjyqësorë të pavarur dhe të paanshëm. Me këtë, qytetarëve të cilët janë në gjendje të rëndë financiare, do t`u mundësohet të fitojnë ndihmë juridike nga një avokat dhe gjykim të drejtë. Në këtë mënyrë ne tregojmë se kujdesemi për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve”, thekson Dereban.