Sekretari shtetëror Dajanço Eftimov mori pjesë në tryezën e rrumbullakët, të organizuar nga Këshilli i Evropës në Shkup, ku u diskutua për rekomandimet në Raportin e Komitetit për Mbrojtje nga Tortura. Në fjalën e tij, Eftimov iu referua problemeve me të cilat ballafaqohen institucionet e burgjeve dhe domosdoshmërisë së reformave për të mundësuar risocializimin dhe rehabilitimin e personave të dënuar.
“Situata është serioze dhe jemi të vetëdijshëm se është inevojshëm vërtetë shumë mund dhe përkushtim i madh. Duhet të vendosim drejtësi dhe siguri ligjore, të tregojmë se kemi vlera, se jemi të denjë për një vend dhe se të gjithë së bashku jemi të gatshëm të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Reformat në sistemin e burgjeve janë më se të nevojshme dhe Ministria e Drejtësisë dhe unë, si Sekretar shtetëror, po ndjekim me shumë vëmendje të gjitha vërejtjet e Komitetit për Mbrojtje nga Tortura të shënuara në Raportet, sepse të njëjtat janë korrigjues i nevojshëm dhe i domosdoshëm në synimin tonë për të arritur sistemet e zhvilluara të vendeve Evropiane”, tha Eftimov.
Sekretari shtetëror, Dajanço Eftimov, porositi se vërejtjet e shënuara në Raportin e Komitetit për Mbrojtje nga Tortura merren shumë seriozisht dhe në të ardhmen do të punohet për heqjen e tyre.
“Puna jonë sapo ka filluar dhe duhet të jemi maksimalisht të përkushtuar, sepse nga ne varet e ardhmja. Nuk do të gënjejmë se do të jetë e lehtë. Nuk do të jetë e lehtë. Nga ne pritet pjekuri dhe përkushtim serioz. Të qëndrojmë në planin zhvillimor dhe të luftojmë sinqerisht, ndershmërisht, me përgjegjësi - atëherë suksesi do të jetë i pashmangshëm dhe ndryshimet do të jenë të dukshme”, porositi Eftimov.