EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Fillkov: Oda e Ekspertëve u bë funksionale, sigurojmë transparencë më të madhe, pavarësi dhe profesionalizëm në procesin e ekspertimit

Fillkov: Oda e Ekspertëve u bë funksionale, sigurojmë transparencë më të madhe, pavarësi dhe profesionalizëm në procesin e ekspertimit

Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov dhe kryetari i Odës së Ekspertëve, Viktor Kamnar në konferencën e sotme për media njoftuan se me regjistrimin e Odës së Ekspertëve në Regjistrin Qendror, shënohet fillimi i një reforme të re në sistemin e gjyqësorit.

“Një nga detyrat e mia të para kur mora funksionin Ministër i Drejtësisë, ishte që Oda e Ekspertëve të bëhet funksionale. Dhe këtë e bëmë për një periudhë relativisht të shkurtë. Më 25.10.2024, me Aktvendim të Regjistrit Qendror të RMV-së, u regjistrua Oda e Ekspertëve e RMV-së në RQRMV-së, me çka, pas pothuajse 8 vitesh mund të themi se ajo u vu në funksion!
Ky është një hap mjaft i rëndësishëm pasi që Oda një periudhë shumë të gjatë ishte në proces të mosfunksionimit, duke e privuar sistemin juridik nga ekspertimi. Me këtë do të zgjidhen edhe problemet me të cilat, për fat të keq, disa vite me radhë, janë ballafaquar ekspertët, si në kuptim të mbrojtjes së interesave të tyre, e veçanërisht me lëshimin e Licencave dhe vlefshmërinë e tyre, si dhe në kuptim të mundësive për avancimin e punës së tyre. E gjithë kjo ishte shkurtuar ose kufizuar për shkak të faktit të mosekzistimit të Odës si shoqatë e esnafëve të ekspertëve”-tha Fillkov.


Ministri Fillkov theksoi se është i bindur që ky institucion do të bëhet sinonim për profesionalizëm dhe do të kontribuojë në funksionimin më efikas dhe të drejtë të sistemit tonë të drejtësisë.

“Oda funksionale e Ekspertëve paraqet hap kyç në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe në krijimin e mekanizmit të fuqishëm për kontroll dhe mbështetje të ekspertëve në Maqedoni. Oda do të jetë përgjegjëse për licencimin, edukimin dhe mbikëqyrjen e ekspertëve, në drejtim të forcimit të standardeve profesionale dhe etike. Me këtë, presim të rritet besimi në sistemin e gjyqësorit, si dhe perceptimi për procedura juridike të drejta dhe objektive”-deklaroi Fillkov.


Kryetari i Odës së Ekspertëve, Viktor Kamnar, konsideron se me këtë do të avancohen në cilësi të gjitha gjetjet ekspertuese gjyqësore, me qëllim të rritjes së cilësisë së të gjitha procedurave administrative dhe gjyqësore.

“Muajin e ardhshëm në ueb faqen e Ministrisë së Drejtësisë do të publikohet thirrja publike për të gjithë ata që duan të bëhen ekspertë për herë të parë, të dorëzojnë dokumentet e tyre, dhe ajo që është në kompetencë të odës, organizimi i trajnimeve për të gjithë ekspertët e ardhshëm për një kohëzgjatje prej 60 orë, që të mundësohet marrja e licencës”- tha Kamnar.

 

Ministria e Drejtësisë vazhdon të mbështesë Odën në përpjekjet për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe avancim të procedurave.

Accessibility Menu