EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Filkov: Vazhdojmë me reformat në gjyqësor, nga nesër nisin debatet profesionale për Këshillin Gjyqësor

Filkov: Vazhdojmë me reformat në gjyqësor, nga nesër nisin debatet profesionale për Këshillin Gjyqësor
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit tonë në fushën e gjyqësorit, tha se ai ofron një pasqyrë reale të arritjeve dhe gjendjes aktuale, por i njejti përbën  shtysë për zbatimin e reformave të nevojshme. Sipas Filkov, reformat në gjyqësor  zhvillohen në përputhje me Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin për periudhën 2024-2028, së bashku me Planin e saj të veprimit dhe në periudhën e ardhshme prioritet kryesor do të jetë ri-konstituimi i Këshillit për Monitorimin e Zbatimit të Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin.
 
“Na pret një nga reformat më të rëndësishme nga e cila do të varet përparimi ynë në rrugën drejt Bashkimit Evropian - Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.
 
 
Që nga nesër fillojnë debatet publike profesionale për draft ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të përgatitura nga grupi i punës i formuar nga Ministria e Drejtësisë. Ky do të jetë vetëm një nga disa ngjarjet e  konsultimeve me publikun profesional që Ministria e Drejtësisë planifikon të organizojë për të siguruar  proces transparent dhe gjithpërfshirës që do të kontribuojë në përmirësimin e kornizës ligjore që rregullon punën e Këshillit Gjyqësor. Konkluzionet dhe rekomandimet nga tryeza e rrumbullakët do të jenë baza për përmirësimin e mëtejshëm të tekstit të amendamenteve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Këto diskutime nuk do të jenë sipërfaqësore. Ato do të jenë gjithëpërfshirëse, do të përfshijnë të gjithë faktorët relevantë dhe do të synojnë krijimin e zgjidhjeve që do të garantojnë pavarësinë e këtyre institucioneve. Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Publike duhet të jenë të çliruar nga çdo formë e ndërhyrjes politike, duke funksionuar vetëm në shërbim të drejtësisë. Këto organe do të reformohen për të punuar me integritetin më të lartë, duke u përqendruar në profesionalizëm dhe respekt të rreptë për sundimin e të drejtës,” deklaroi Ministri i Drejtësisë Igor Filkov në debatin Platforma: 100% të përkushtuar për ty  me temën: “Fokusi në drejtësi, siguri dhe mbrojtje.”
 
 
Ministri Filkov foli gjithashtu për gjendjen që gjeti në Ministrinë e Drejtësisë, buxhetin e zbrazur, paefikasitetin dhe devastimin e thellë të institucionit.
 
“Duhej të reagonim menjëherë dhe të ndërmerrnim veprime konkrete. Reforma e  sistemit kompleks si drejtësia kërkon këmbëngulje, guxim dhe mbështetje nga të gjithë sektorët e shoqërisë. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Gjatë këtyre 100 ditëve dëshmuam se ndryshimi jo vetëm që është i mundur, por tashmë është në proces. Anuluam vendimin e qeverisë së mëparshme për rritjen dhjetëfish të tarifës noteriale. Si rezultat i takimeve me disa organizata sindikale, filluam përgatitjen e  ligjit të ri për shërbimin gjyqësor. Filluam përfundimin e procesit disavjeçar të kodifikimit të legjislacionit civil. Zhvilluam debate publike për Ligjin për procedurën penale, për modernizimin dhe racionalizimin e mëtejshëm të proceseve tona juridike, i cili më pas do të kalojë në procedurë qeveritare. Kemi zhvilluar shumë takime me ambasadorë, përfaqësues të odave profesionale, ekspertë vendas dhe të huaj, organizata të shoqërisë civile, por edhe organizata sindikale. Çdo takim solli një ide të re, një nismë dhe një bashkëpunim të ardhshëm,” theksoi Filkov.
 
Ministri njoftoi gjithashtu se, pas 8 vitesh, Oda e Ekspertëve më në fund u bë funksionale dhe është regjistruar në Regjistrin Qendror.
 
 
“Formuam 16 departamente profesionale, u emëruan drejtuesit dhe zëvendësit e tyre. Më 25.09.2024, u mbajt mbledhja e Asamblesë Themeluese të Odës së Ekspertëve. Në këtë mbledhje u zgjodhën organet e odës dhe u miratuan aktet themeluese.
 
Oda funksionale e Ekspertëve përbën  hap kyç drejt përmirësimit të sistemit të drejtësisë dhe krijimit të  mekanizmit të fuqishëm për kontrollin dhe mbështetjen e ekspertëve në Maqedoni. Oda do të jetë përgjegjëse për licencimin, edukimin dhe mbikëqyrjen e ekspertëve, duke siguruar që ata  punojnë sipas standardeve profesionale dhe etike. Kjo, nga ana tjetër, do të rrisë besimin në sistemin e gjyqësorit dhe do të kontribuojë në procese ligjore të drejta dhe objektive,” tha ministri i Drejtësisë Igor Filkov.

Accessibility Menu