Në qendrën e trajnimit të INK Idrizovë, Ministri i Drejtësisë Igor Filkov realizoi takim pune me Drejtorin e DES-ë, Aleksandar Pandov, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e të gjitha institucioneve të burgjeve në vend.
Takimi u fokusua në rishikimin e situatës aktuale dhe problematikave me të cilat përballen institucionet e burgjeve. Problemet janë detektuar para së gjithash në kushtet hapësinore të institucioneve, mungesa e punonjësve, si nga shërbimet e sigurisë ashtu edhe në seksionin për risocializimin e të dënuarve. U cek edhe problemi me mungesën e mjeteve financiare për mbylljen e vitit aktual 2024, i cili mbetet pavarësisht rebalancit të buxhetit, mungesa e automjeteve për shoqërimin e të akuzuarve dhe nevoja për digjitalizimin e institucioneve.
U diskutua edhe për Raportin e Komitetit për parandalimin e torturës pranë Këshillit të Evropës për vitin 2023, ku u sugjerua që të merren parasysh vërejtjet e tyre për tejkalimin e mangësive të konstatuara.
Në takim u ra dakord që takime të tilla të intensifikohen me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e shpejtë të problemeve të caktuara, duke shfrytëzuar ndihmën ndërkombëtare, por edhe për të forcuar buxhetin e DES-ë për mbarëvajtjen e funksionimit të institucioneve të burgjeve, si dhe përdorimin e probacionit dhe mjeteve të tjera për lirimin me kusht të të burgosurve.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov shprehu angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për tejkalimin e të gjitha problemeve dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të burgjeve, me qëllim të përmirësimit të kushteve duke u kujdesur për të drejtat e të burgosurve dhe risocializimin e tyre në shoqëri.