EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Shasivari me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip: Respektimi i gjuhës amtare është pjesë e pandashme e dinjitetit njerëzor

Shasivari me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip: Respektimi i gjuhës amtare është pjesë e pandashme e dinjitetit njerëzor

Ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, u përcolli urimet të gjithë shqiptarëve, duke theksuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, si dhe rëndësinë e respektimit të gjuhës amtare dhe të drejtave gjuhësore.

Në mesazhin e tij, ministri Shasivari theksoi se një popull që kujdeset për gjuhën e vet, kujdeset edhe për kujtesën, dinjitetin dhe të ardhmen e tij.

Ai rikujtoi se Kongresi i Manastirit përfaqëson një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë kombëtare shqiptare, kur, pavarësisht dallimeve, përfaqësuesit shqiptarë arritën të bashkoheshin rreth alfabetit të përbashkët.

Sipas ministrit, 36 shkronjat e alfabetit shqip u bënë themel për zhvillimin e shkrim-leximit, arsimit dhe kulturës, duke lënë një trashëgimi që vazhdon të lidhë brezat.

Shasivari theksoi se respektimi i gjuhës nuk duhet të kufizohet vetëm në shënimin e datave historike, por duhet të dëshmohet përmes përdorimit të saj të përditshëm, përcjelljes te brezat e rinj dhe respektimit të së drejtës së çdo njeriu për të folur e për t'u shprehur në gjuhën amtare.

Vëmendje të veçantë i kushtoi përgjegjësisë institucionale për realizimin e të drejtave gjuhësore, duke theksuar se ato janë pjesë e pandashme e barazisë para ligjit dhe dinjitetit njerëzor.

Ministri nënvizoi se të drejtat e garantuara duhet të jenë të qasshme dhe të zbatueshme për qytetarët, e jo të mbeten vetëm dispozita formale ligjore.

Në fund, me mirënjohje për pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit dhe me respekt për trashëgiminë historike e kulturore të gjuhës shqipe, ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, ua uroi të gjithë shqiptarëve 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip.

Accessibility Menu