Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, priti në takim pune ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristof Zomer.
Ministri Shasivari theksoi se Ministria e Drejtësisë po punon për krijimin e një sistemi gjyqësor më efikas dhe funksional, në të cilin qytetarët do të kenë siguri më të madhe dhe besim më të lartë në institucione. Për zbatimin e suksesshëm të reformave është veçanërisht e rëndësishme të shfrytëzohen përvojat e vendeve që kanë krijuar praktika të mira në fushën e sundimit të ligjit.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Zvicrën, veçanërisht përmes mbështetjes së projekteve, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve.
Ambasadori Zomer prezantoi Programin zviceran të bashkëpunimit me vendin tonë, si dhe mundësitë për zgjerimin e tij në fusha që lidhen me reformat dhe zhvillimin institucional. U shpreh gatishmëri për vazhdimin e partneritetit dhe mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit.
Bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy vendeve përbën një bazë të mirë për aktivitete të reja të përbashkëta.
Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të ndërtojë bashkëpunim të hapur me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që përvojat dhe mbështetja nga vendet evropiane të shndërrohen në përmirësime konkrete në punën e institucioneve dhe në shërbimet që marrin qytetarët.