E drejta e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale janë të drejta fundamentale për çdo individ, të cilat duhet të mbrohen dhe respektohen në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe sistemin e gjyqësorit.
Me rastin e shënimit të Ditës Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave, Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, në fjalimin e tij në manifestimin “Korniza ligjore e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë në gjyqësor”, theksoi se sistemi gjyqësor është një nga sferat më të ndjeshme kur bëhet fjalë për përpunimin e të dhënave personale.
“Në procesin e zhvillimit të procedurave dhe hetimeve gjyqësore, shpesh përpunohen të dhëna sensitive që mund të kenë implikime serioze për të drejtat dhe liritë e individëve. Prandaj është e rëndësishme të sigurohet që çdo përpunim i këtyre të dhënave do të kryhet me nivelin më të lartë të mbrojtjes dhe respektimit të privatësisë. Të dhënat personale janë një komponent themelor i të drejtës së privatësisë, e cila garantohet nga Kushtetuta dhe dokumentet ndërkombëtare. Mbrojtja e këtyre të drejtave nuk është vetëm imperativ juridik por edhe etik, i cili i mbron qytetarët nga keqpërdorimi. Detyra e shtetit është të sigurojë siguri juridike për të gjithë qytetarët duke krijuar një kornizë të qëndrueshme ligjore që garanton mbrojtjen e privatësisë dhe integritetin e të dhënave personale në të gjitha sferat e jetës”, tha ministri Fillkov.
Republika e Maqedonisë së Veriut po punon në mënyrë aktive për të harmonizuar legjislacionin e saj me rregullat evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, në mënyrë që të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve. Për mbrojtjen e suksesshme të të dhënave personale është i nevojshëm bashkëpunim i ngushtë ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, si dhe shkëmbimi i njohurive dhe Trajnimi për mbrojtjen e të dhënave personale do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave që do të kontribuojnë në harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me standardet evropiane.
Ngjarja u organizua nga Qendra për Hulumtime Juridike, Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, si pjesë e projektit të BE-së "Drejtësi efektive për mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtën për privatësi në hapësirën online".