EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Filkov: Zgjedhja e prokurorëve publikë më nuk do të jetë formalitet ose rezultat i marrëveshjeve – por do të jetë proces që do të bazohet në merita, integritet dhe profesionalitet

Filkov: Zgjedhja e prokurorëve publikë më nuk do të jetë formalitet ose rezultat i marrëveshjeve – por do të jetë proces që do të bazohet në merita, integritet dhe profesionalitet

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov sot iu drejtua të pranishmëve me rastin e  eventit  “Standardet evropiane për mekanizmat disiplinorë dhe zgjedhorë në gjyqësor”, të organizuar nga NCEU-MK, duke theksuar se zhvillimi i mekanizmave cilësorë dhe transparentë për zgjedhjen, ngritjen në detyrë dhe përgjegjësinë disiplinore është një parakusht kyç për një sistem gjyqësor efikas që punon në shërbim të qytetarëve.
“Paanshmëria dhe pavarësia e gjyqtarëve janë shtylla qendrore e sundimit të ligjit. Vetëm përmes respektimit të tyre konsekuent mund të sigurojmë siguri ligjore, mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe rritje të besimit të publikut në institucione”, theksoi Filkov.
Sigurimi i pavarësisë së plotë dhe rritjes së efikasitetit të gjyqësorit janë një prioritet i qartë i Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, me ç`rast gjatë përgatitjes së zgjidhjeve të reja ligjore  fokus i veçantë u vu në mekanizmat zgjedhorë dhe disiplinorë, në përputhje me standardet evropiane. 
Filkov informoi se reformat në Këshillin Gjyqësor tani më po realizohen. Me Ligjin e ri po përcaktohen kritere të qarta për zgjedhje dhe shkarkim, kushtet për përvojën profesionale janë ashpërsuar dhe është precizuar termini “avokat i shquar”.
Janë vendosur seanca publike gjatë zgjedhjes së anëtarëve jo-gjyqësorë, si dhe njoftim publik dhe transparent për anëtarët që i zgjedh Kuvendi. Procedura disiplinore për anëtarët e Këshillit është rregulluar në detaje, me baza të përcaktuara qartë për përgjegjësinë dhe përbërjen e komisionit disiplinor.
Është parashikuar gjithashtu një procedurë urgjente për përcaktimin e përgjegjësisë së një gjyqtari ose kryetari të gjykatës, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Ministri tha se pret që Ligji për prokurorinë publike së shpejti do të miratohet nga Kuvendi. Në këtë ligj janë përfshirë rekomandime evropiane, është futur sistem i qartë merite për përzgjedhjen, ngritjen në detyrë dhe vlerësimin e prokurorëve publikë, si dhe afate të sakta për procedurat.
“I kemi forcuar garancitë për pavarësinë e prokurorëve dhe me saktësi i kufizojmë kushtet sipas të cilave mund të jepen udhëzime të detyrueshme me shkrim. Mbikëqyrjen po e rregullojmë në mënyrë sistematike, pa ndërhyrë në lëndë konkrete”, theksoi Filkov.
Me ndryshimet ligjore parashikohen gjithashtu baza të sakta për ndërprerjen e detyrës, duke përfshirë rastet e një dënimi të plotfuqishëm për një vepër penale kundër detyrës zyrtare. Procedura disiplinore do të duhet të përfundojë brenda gjashtë muajsh, e në raste më komplekse jo më vonë se nëntë muaj. Në përputhje me rekomandimet e GRECO-s, po futet një gradacion i shkeljeve disiplinore në të lehta, të rënda dhe shumë të rënda.
Në seancën e fundit, Qeveria miratoi gjithashtu Ligjin e ri për Këshillin e prokurorëve publikë. Me këtë ligj po vendoset census më i lartë dhe kritere të qarta për përzgjedhjen e anëtarëve nga radhët e prokurorëve, si dhe procedurë transparente dhe gjithëpërfshirëse për anëtarët që i zgjedh Kuvendi.
“Zgjedhja e prokurorëve publikë nuk do të jetë më një formalitet apo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura - por një proces i bazuar në meritë, integritet dhe profesionalizëm”, tha ministri.
Çdo vendim i Këshillit - për zgjedhje, ngritje në detyrë, përgjegjësi disiplinore ose shkarkim - do të arsyetohet detyrimisht dhe do të shpallet publikisht, me çka transparenca do të bëhet detyrim ligjor.
Ministri theksoi se ndryshimet janë rezultat i dobësive të identifikuara në sistemin gjyqësor në periudhën e kaluar, siç janë procedurat e gjata, rastet e korrupsionit, transparenca e pamjaftueshme dhe mungesa e llogaridhënies efektive.
“Me këto zgjidhje ligjore, ne i adresojmë drejtpërdrejt këto probleme. Ne kemi përgatitur ndryshime në tridhjetë ligje, prej të cilëve numri më i madh i tyre janë me rëndësi thelbësore për gjyqësorin. Ne kemi mundësinë të krijojmë një gjyqësor në të cilin të gjithë mund të mbështetemi – në mënyrë  transparente, profesionale dhe të paanshme”, theksoi Filkov.

Accessibility Menu