EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Filkov: Propozim-Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile është një hap kyç në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit

Filkov: Propozim-Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile është një hap kyç në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit

Ministria e Drejtësisë sot organizoi debat publik profesional për Propozim-Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të gjyqësorit, gjyqtarëve, prokurorëve publikë, avokatëve të shtetit, profesorëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij, Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, theksoi se zgjidhja e propozuar ligjore paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ministri rikujtoi se në mars të vitit 2024 u miratua Ligji i parë për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, me të cilin Republika e Maqedonisë filloi vendosjen e një mekanizmi bashkëkohor për sekuestrimin e pasurisë për të cilën ekziston dyshim i bazuar se është fituar nga burime të paligjshme, pavarësisht nga rezultati i procedurës penale.
“Nëpërmjet analizës së dispozitave ekzistuese ligjore dhe konsultimeve me opinionin profesional dhe akademik, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, u konstatuan nevoja për rregullim më të saktë dhe më të qartë të disa çështjeve, me qëllim krijimin e një sistemi funksional dhe juridikisht të qëndrueshëm”, theksoi Ministri Filkov.
Ai nënvizoi se Propozim-Ligji i ri parasheh precizimin e kushteve për fillimin e procedurës, definimin e qartë të kompetencave të institucioneve, vendosjen e mekanizmave për analizë financiare dhe përcaktimin e disproporcionit ndërmjet pasurisë dhe të ardhurave të ligjshme, rregullimin e masave për sigurimin e pasurisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të prekur dhe personave të ndërgjegjshëm.
Zgjidhja ligjore bazohet në parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit, paanshmërisë, konfidencialitetit, transparencës dhe urgjencës, ndërsa qëllimi i saj nuk është ndëshkimi, por mbrojtja e interesit publik dhe parandalimi i disponimit me pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në krijimin e zgjidhjeve ligjore që do të mundësojnë luftë efikase kundër pasurimit të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet dhe drejtësinë.

Accessibility Menu