EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Filkov: Optimizimi i rrjetit gjyqësor është kyç për një drejtësi më efikase dhe për një siguri më të madhe juridike

Filkov: Optimizimi i rrjetit gjyqësor është kyç për një drejtësi më efikase dhe për një siguri më të madhe juridike

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, sot pati fjalën e tij në shqyrtimin profesional dedikuar ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për gjykatat, ku theksoi se reformat në gjyqësor duhet të jenë thelbësore, mirë të analizuara dhe të krijuara përmes një dialogu të gjerë dhe inklusiv. 
Në fjalimin e tij, ministri theksoi se ndryshimet në Ligjin për gjykatat janë pjesë e një procesi më të gjerë reformues, qëllimi i të cilit është krijimi i një sistemi gjyqësor më të shpejtë, më efikas dhe më të qasshëm, i cili do të sigurojë më shumë siguri juridike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.
“Reformat në gjyqësor nuk duhet të jenë vetëm formale dhe deklarative. Ato duhet të sjellin përmirësime reale në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe drejtësi më cilësore për qytetarët”, theksoi Ministri Filkov.
Një theks i veçantë u vendos në optimizimin e rrjetit gjyqësor, i cili propozohet përmes ndryshimeve ligjore. Organizimi ekzistues i gjykatave është krijuar në kushte të ndryshme shoqërore dhe demografike, dhe ekzistojnë mosbalanca serioze në shpërndarjen e lëndëve dhe kapacitetet e gjykatave.
Zgjidhjet e propozuara parashohin që një pjesë e gjykatave të transformohen në njësi gjyqësore, me qëllim shfrytëzimin më efikas të burimeve njerëzore dhe materiale, shpërndarje më të mirë të lëndëve dhe menaxhim më efikas të procedurave gjyqësore.
Ministri theksoi se këto ndryshime nuk do të thonë ulje të qasjes së qytetarëve në drejtësi, përkundrazi - do të sigurojnë mbrojtje gjyqësore më të shpejtë, më efikase dhe më cilësore. Njësitë gjyqësore do të vazhdojnë të funksionojnë lokalisht, ndërsa lidhja organizative me gjykatat më të mëdha do të mundësojë koordinim më të mirë dhe unifikim të praktikës gjyqësore.
Në kuadër të reformave parashihen edhe masa për përmirësimin e punës së gjykatave të apelit, me qëllim të veprimit më efikas ndaj ankesave dhe uljen e numrit të lëndëve që kanë ngecur.
Ministri Filkov theksoi se të gjitha zgjidhjet e propozuara bazohen në analiza serioze, të dhëna dhe vlerësime të nevojave reale të gjykatave dhe qytetarëve.
Ai përcolli mesazhin se suksesi i reformave do të varet jo vetëm nga ndryshimet ligjore, por edhe nga zbatimi i tyre i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm në praktikë.

Accessibility Menu