EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Filkov: Ligji i ri i probacionit vendos një sistem më efikas, risocializim më të fuqishëm dhe mbrojtje më të madhe të viktimave

Filkov: Ligji i ri i probacionit vendos një sistem më efikas, risocializim më të fuqishëm dhe mbrojtje më të madhe të viktimave

Në debatin e sotëm publik për Propozim-Ligjin për probacionin, Ministri i Drejtësisë Igor Filkov theksoi se, zgjidhja e re ligjore paraqet një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së një sistemi bashkëkohor, më efikas dhe më të drejtë për ekzekutimin e sanksioneve dhe zbatimin e masave të probacionit.
Me ligjin forcohet roli i shërbimit të probacionit dhe avancohet organizimi i sistemit për ekzekutimin e sanksioneve.

“Me këtë zgjidhje ligjore vendosim një sistem të qartë dhe modern të probacionit që sjell tre rezultate kyçe: ekzekutim më efikas të masave në komunitet, risocializim më të fuqishëm të personave të përfshirë me sanksione dhe nivel më të lartë të mbrojtjes së viktimave”, tha Ministri Filkov.

Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve merr rol të zgjeruar koordinues dhe mbikëqyrës, ndërsa Sektori për probacion pozicionohet si bartës qendror i proceseve profesionale. Njëkohësisht, vendoset një regjistër unik elektronik për personat e përfshirë me masa të probacionit, i cili do të mundësojë ndjekje të vazhdueshme dhe koordinim më të mirë institucional.
Ligji parashikon vlerësim të rrezikut gjatë procedurës penale, me kërkesë të gjykatës ose prokurorit publik, me çka forcohet baza profesionale për marrjen e vendimeve dhe avancohet zbatimi i masave alternative.

“Në kornizën e re ligjore inkorporohen standarde të larta për të drejtat e njeriut, përmes mbrojtjes nga tortura dhe trajtimit çnjerëzor, mosdiskriminimit, mbrojtjes së të dhënave personale dhe zbatimit të vazhdueshëm të prezumimit të pafajësisë”, theksoi ministri.

Në kuadër të ligjit, po ashtu, vendoset terminologji e ndjeshme gjinore, si dhe baza të zgjeruara për trajtim të barabartë, me çka forcohen më tej parimet e barazisë dhe drejtësisë.
Theks i veçantë i është vendosur programit individual të trajtimit, i cili do të paraqesë bazë për qasje të personalizuar ndaj çdo personi të përfshirë me masa të probacionit, me qëllime, aktivitete dhe kohëzgjatje të mbikëqyrjes të përcaktuara qartë.
Zgjidhjet e reja ligjore parashikojnë edhe avancimin e punës së zyrtarëve të probacionit përmes mjeteve më të mira për punë në terren dhe monitorim elektronik, si dhe koordinim të përforcuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera kompetente.
Me ligjin, masa e arrestit shtëpiak merr strukturë më të qartë përmes zbatimit të mbikëqyrjes elektronike dhe procedurave të përcaktuara qartë për veprim në situata të ndryshme, përfshirë edhe rastet urgjente mjekësore.
Në pjesën që ka të bëjë me lirimin me kusht, vendoset një sistem i përbashkët vlerësimi ndërmjet institucioneve ndëshkuese-korrektuese dhe shërbimit të probacionit, me qëllim lidhje më të mirë ndërmjet trajtimit institucional dhe risocializimit në komunitet.
Për herë të parë, ligji përmban edhe një kapitull të veçantë kushtuar viktimave të veprave penale, me detyrime konkrete për shërbimet e probacionit në drejtim të mbrojtjes së tyre, parandalimit të riviktimizimit dhe informimit me kohë, veçanërisht në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

“Sistemi bëhet më i organizuar, më i përgjegjshëm dhe i lidhur më mirë ndërmjet institucioneve. Vendosen rregulla të qarta, kompetenca të sakta dhe procedura të matshme për veprim. Rezultati është siguri më e madhe për qytetarët, rrezik më i ulët nga përsëritja e veprave penale dhe drejtësi më efikase që vepron në komunitet”, porositi Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.

Propozim-Ligji për probacionin është pjesë e proceseve reformuese të orientuara drejt modernizimit të sistemit të ekzekutimit të sanksioneve dhe harmonizimit me standardet bashkëkohore evropiane.

Accessibility Menu