Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë nuk mund të kapërcehet pa kornizë përkatëse ligjore. Me Ligjin e ri për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, i cili u publikua në ENER, vendoset pranim vjetor në Akademi mbi bazë të projeksioneve të sakta nga gjykatat dhe prokuroritë sipas rajonit të apelit, informoi në konferencën e sotme për shtyp Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
“Vendosen thirrje publike të ndara, ku kandidatët aplikojnë për një pozitë konkrete pune - qoftë për gjyqtar ose për prokuror publik. Njëkohësisht, po vendoset merit - sistem për renditje, ku kandidatët më të mirë kanë përparësi në shpërndarje”, deklaroi Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
Këto masa janë vetëm një pjesë e reformave në të cilat ka punuar Ministria e Drejtësisë gjatë periudhës së kaluar. Është miratuar Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, me të cilin forcohen mekanizmat për llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi. Në procedurë qeveritare janë ligjet për shërbimin gjyqësor dhe shërbimin e prokurorive publike, si dhe ligjet për pagat në gjyqësor.
“Qasja ndaj këtyre ligjeve është e kujdesshme dhe e përgjegjshme në mënyrë që të sigurohet një zgjidhje sistematike, e qëndrueshme dhe e drejtë, në përputhje me Axhendën reformuese dhe standardet evropiane. Bëhet fjalë për çështje të ndjeshme e cila kërkon analizë rrënjësore dhe koordinim gjithëpërfshirës institucional”, theksoi Filkov.
Gjyqësori me vite të tëra ka që vepron me dobësi serioze kadrovike, organizative dhe funksionale. Ministri i Drejtësisë Igor Filkov theksoi se mungesa e gjyqtarëve, prokurorëve publikë, shërbimeve gjyqësore dhe të prokurorisë publike, si dhe mundësitë e kufizuara për plotësimin e tyre në kohë, pasqyrohen drejtpërdrejt në efikasitetin e procedurave, si dhe në cilësinë e vendimmarrjes dhe në realizimin e një prej të drejtave themelore - të drejtës për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm.
“Jemi të vetëdijshëm se pa reforma të plota dhe të synuara mirë, fenomene të tilla do të vazhdojnë të përsëriten. Prandaj, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një qasje sistematike, duke përcaktuar situatën faktike në terren dhe duke ndërmarrë hapa konkrete.
Gjatë viteve 2024 dhe 2025, Ministria e Drejtësisë kreu mbikëqyrje në të gjitha gjykatat në vend. Në këtë mënyrë, është përcaktuar situata për secilën gjykatë individualisht dhe sfidat me të cilat përballet. Gjetjet, ndër të tjera, treguan qartë një mungesë serioze të stafit: shkalla e plotësimit të pozitave të gjykatësve është rreth 67%, ndërsa shkalla e plotësimit të shërbimit gjyqësor është vetëm 36%”, tha Ministri Filkov.
Këto shifra, sipas tij, nuk janë statistika abstrakte. Ato nënkuptojnë seanca të shtyra, lëndë të grumbulluara, gjykata të mbingarkuara dhe një rrezik serioz për shkelje të gjykimit të drejtë. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e shërbimeve gjyqësore dhe të prokurorisë publike – procesmbajtës, referentë, bashkëpunëtorë gjyqësor, IT mbështetje dhe mbështetje teknike. Pa këtë staf, gjyqësori nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase, pavarësisht nga cilësia e ligjeve.
“Si përgjigje e kësaj situate, Ministria e Drejtësisë dje i dorëzoi Ministrisë së Financave një njoftim me të cilin theksojmë dhe paralajmërojmë se janë të patjetërsueshme punësime urgjente në shërbimet gjyqësore dhe të prokurorisë publike. Kjo kërkesë bazohet në të dhëna të hollësishme, nevoja konkrete nga terreni dhe njoftime të dorëzuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Publike. Me këtë hap institucional, presim që të sigurohet funksionaliteti i sistemit”, tha Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.