Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në konferencën e sotme për shtyp, foli për situatën aktuale në gjyqësor dhe qasjen e Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e situatës faktike në terren dhe ndërmarrjen e masave specifike.
“Në periudhën e kaluar, publiku ka qenë dëshmitar i ngjarjeve dhe rasteve që kanë rritur më tej shqetësimet në lidhje me integritetin, përgjegjësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe prokurorisë. Fenomene të tilla nuk duhet të relativizohen ose të injorohen.
Kur rastet e korrupsionit të nivelit të lartë qëndrojnë për vite me radhë të pa zgjidhura dhe kur dyshimet e dukshme nuk marrin një përgjigje institucionale - atëherë qytetarët me të drejtë pyesin: ku është drejtësia?
Rasti me gjyqtarin e apelit te i cili u gjetën 350 mijë euro, të fshehura dhe të murosura në një mur, nuk është thjesht një skandal. Është një simbol i dobësisë së thellë sistemike - simbol i një kulture të pandëshkueshmërisë, heshtjes dhe mbrojtjes së ndërsjellë që ka gërryer besimin në sistemin e drejtësisë për një kohë shumë të gjatë”, tha Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
Ky rast, sipas Filkov, minon më tej besimin në të gjithë gjyqësorin dhe vë në pikëpyetje funksionin e një gjyqtari, i cili duhet të jetë në shërbim dhe në interes të qytetarëve dhe drejtësisë, e jo një privilegj.
Në të njëjtën kohë, publiku po përjeton sfida serioze në funksionimin e prokurorisë - efikasitet të pamjaftueshëm, kapacitete të kufizuara dhe vendosmëri të pamjaftueshme në trajtimin e formave më të rënda të krimit.
“Hulumtimet mbi perceptimin e korrupsionit tregojnë se besimi në gjyqësor dhe prokurori është thyer seriozisht. Ky besim nuk mund të rikthehet brenda natës, e as me një vendim të vetëm. Është e qartë se problemi është sistemik dhe nuk vlen vetëm për raste individuale. Jemi të vetëdijshëm se pa reforma të plota dhe të synuara mirë, fenomene të tilla do të vazhdojnë të përsëriten. Prandaj, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një qasje sistemike, duke përcaktuar situatën faktike në terren dhe duke ndërmarrë hapa konkret”, theksoi Ministri i Drejtësisë Igor Filkov.