Forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit është një nga prioritetet më të larta shtetërore dhe një parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet, theksoi ministri i Drejtësisë në konferencën “Forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Maqedoni”.
“Ky është një moment kritik dhe vendimtar për sistemin e drejtësisë. Duhet ta shohim qartë dhe objektivisht gjendjen, sepse vetëm përmes një vlerësimi të saktë mund të arrijmë në zgjidhje të qëndrueshme”, theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në fjalimin e tij.
Ai theksoi se gjendjet në gjyqësor janë analizuar dhe dokumentuar në mënyrë të detajuar në dokumente relevante vendore dhe ndërkombëtare, ndër të cilat Strategjia Sektoriale Zhvillimore për Drejtësinë 2024–2028, Agjenda e Reformave 2024–2027, Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe raportet e Komisionit Evropian.
Theks i veçantë iu kushtua Udhërrëfyesit për zbatimin e strategjisë për burimet njerëzore për rrjetin gjyqësor.
“Kjo nuk është vetëm një dokument teorik, por një udhëzues praktik dhe i zbatueshëm që ofron një rrugë të qartë dhe të realizueshme për përballimin e sfidave më urgjente në gjyqësor”, theksoi ministri.
Ministria e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka konstatuar gjendje alarmante në gjyqësor, të cilat korrespondojnë drejtpërdrejt me dobësitë e identifikuara në Udhërrëfyes.
“Masat e propozuara duhet të shqyrtohen seriozisht dhe të zbatohen, nëse vërtet duam rezultate që do të jenë të matshme, të dukshme dhe të qëndrueshme. Reformat duhet të sigurojnë plotësimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, forcimin e integritetit institucional dhe rritjen e besimit të publikut përmes transparencës dhe standardeve të larta etike”, porositi ministri Filkov.
Si një nga shtyllat kyçe të reformave u theksua digjitalizimi i gjyqësorit.
“Investimet në sisteme të integruara për menaxhimin e lëndëve dhe dosje gjyqësore plotësisht digjitale nuk janë e ardhmja – ato janë e tashmja dhe një nevojë reale”, tha ministri, duke shtuar se mjetet digjitale do të mundësojnë shpërndarje më efikase të burimeve dhe qasje më të mirë në drejtësi.
Në pjesën e aktiviteteve legjislative, ministri informoi se në periudhën e kaluar janë përgatitur rreth tridhjetë ligje me të cilat po zbatohen reforma sistemore në gjyqësor.
Ligji për Këshillin Gjyqësor tashmë është miratuar, ndërsa Ligji për Prokurorinë Publike pritet së shpejti të hyjë në procedurë parlamentare. Janë përgatitur edhe ligje të tjera si pjesë e rivendosjes së plotë të sistemit të drejtësisë.
“Detyrimi ynë si Ministri e Drejtësisë është të krijojmë ligje të qarta dhe të zbatueshme që do të jenë instrument i drejtësisë dhe barazisë. Reformat në gjyqësor dhe avancimi i kornizës ligjore nuk janë procese të shpejta që ndodhin brenda një dite. Ato nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme. Ne vazhdojmë me përkushtim dhe së bashku të punojmë për zgjidhje sistemore”, theksoi Filkov.