Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë morën pjesë në tribunën publike për ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Trafik dhe Ligjin për Shkeljet.
Projekti „Qyteti i Sigurt“ nisi në tetor 2024 me një ide të thjeshtë, por të fuqishme: të bashkojmë kapacitetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, të tejkalojmë barrierat e vjetra sistemike dhe të krijojmë proces ligjor efikas dhe transparent.
Formuam grup pune ndër-sektorial të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, e cila kishte detyrën të përgatiste ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurinë në Trafik, Ligjit për Shkeljet dhe ndryshimet në Kodin Penal, me qëllim që të sigurohet implementimi i projektit „Qyteti i Sigurt“.
Për të përmirësuar sigurinë në trafik, nisëm me ndryshime të reja në Ligjin për Shkeljet. Është parashikuar procedurë e veçantë për shkeljet në fushën e sigurisë së trafikut, e cila ka të bëjë me shkeljet e konstatuara përmes sistemeve elektronike të detektimit, siç është sistemi „qyteti i sigurt“. Prezantojmë procedura të shkurtra me afate të shpejta gjyqësore dhe dënime të ashpra për recidivistët, përfshirë ndalimin e drejtimit të mjetit pas shkeljes së tretë. Njoftimet për shkeljet do të dorëzohen shpejt dhe në mënyrë efikase përmes SMS dhe e-mailit. Shkelësit do të kenë të drejtë mbrojtjeje gjyqësore nëse nuk pranojnë përgjegjësinë. Këto ndryshime do të përmirësojnë shpejtësinë dhe efikasitetin e procedurave.
Si pjesë e prioriteteve tona strategjike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në dhjetor 2024, hapëm procesin e ndëroperabilitetit, i cili për një kohë të gjatë ka mbetur vetëm në letër. Me pjesëmarrjen direkte, filluam procesin e lidhjes së gjykatave dhe Prokurorisë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, një hap që ishte i nevojshëm, por nuk ishte funksional. Ne, si ministri, mundësuam lidhjen mes MPB-së, gjykatave dhe Prokurorisë për të nënshkruar memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në formë elektronike, përmes Platformës Kombëtare të Ndëroperabilitetit, e cila do të mundësojë akses në bazat e të dhënave të institucioneve, të cilat do të përdoren në procedurat gjyqësore. Kjo do të thotë se të gjitha institucionet përkatëse kanë akses në informacionet më të sakta dhe më të fundit. Shpejt dhe efikas. Pa humbur kohë. Pa mundësi për manipulime. Pa mundësi për korrupsion.
Projekti është fillimi i efikasitetit dhe drejtësisë. Një sistem që jo vetëm që do të merret me problemet ekzistuese, por do të parandalojë ato të reja.