Kuvendi, në seancën e sotme, e miratoi Ligjin për shërbimin e prokurorisë publike, me çka u shënua një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe efikasitetit të prokurorisë publike.
Ligji i ri paraqet një reformë thelbësore, e cila vendos një sistem modern dhe funksional për menaxhimin e shërbimit të prokurorisë publike, në përputhje me standardet evropiane dhe nevojat reale të prokurorive publike.
Ligji vendos një sistem të veçantë për menaxhimin e burimeve njerëzore, me procedura më të thjeshta dhe më efikase të punësimit, varësi më të vogël nga institucionet e jashtme dhe përzgjedhje të kuadrove më profesionale dhe më cilësore.
Vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimit në karrierë të nëpunësve të prokurorisë publike. Vendoset një sistem i qartë i avancimit vertikal në karrierë dhe krijohen mundësi reale për avancim profesional deri në pozitat më të larta udhëheqëse në shërbim.
Me këtë ligj forcohet ndjeshëm edhe roli i Këshillit të Shërbimit të Prokurorisë Publike, i cili fiton kompetenca më të gjera në fushën e politikës së burimeve njerëzore, përgjegjësisë disiplinore dhe mbrojtjes së të drejtave të të punësuarve, duke kontribuar më tej në ndërtimin e një shërbimi profesional, të pavarur dhe të përgjegjshëm të prokurorisë publike.
Një nga përfitimet më të rëndësishme është edhe përmirësimi i pozitës materiale të të punësuarve. Ligji vendos një sistem të ri për llogaritjen e pagave, sipas të cilit rritjet e siguruara përmes kontratave kolektive bëhen pjesë përbërëse e pagës bazë. Me këtë sigurohet një stabilitet më i madh financiar, një vlerësim më i drejtë i punës dhe motivim më i lartë i të punësuarve, ndërsa në përputhje me kontratën kolektive parashihet edhe rritje graduale e pagave.
Njëkohësisht, vendoset një sistem më transparent dhe më efikas i përgjegjësisë disiplinore, me përcaktim të saktë të shkeljeve disiplinore, komisioneve disiplinore dhe të drejtës për ankim pranë Këshillit të Shërbimit të Prokurorisë Publike, duke garantuar mbrojtje shtesë të të drejtave të nëpunësve.
Ligji mundëson gjithashtu fleksibilitet më të madh në menaxhimin e burimeve njerëzore, përmes mekanizmave më të qartë për sistemimin dhe transferimin e nëpunësve ndërmjet prokurorive publike, me qëllim plotësimin më të shpejtë të vendeve të punës dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve kadrovike në dispozicion.