EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Kuvendi e miratoi Ligjin për shërbimin gjyqësor

Ministria e drejtësisë Ministria e drejtësisë

Kuvendi e miratoi Ligjin për shërbimin gjyqësor, një nga zgjidhjet më të rëndësishme ligjore reformuese në fushën e gjyqësorit, i harmonizuar me Agjendën reformuese dhe Strategjinë sektoriale të zhvillimit për gjyqësorin 2024–2028.
Me miratimin e këtij ligji tejkalohen dobësitë sistemore shumëvjeçare të zgjidhjes ekzistuese ligjore dhe krijohen kushte për funksionim më efikas të gjykatave, përmes njohjes së qartë të rolit specifik të nëpunësve gjyqësorë në pushtetin gjyqësor.
Risia më e rëndësishme është veçimi i nëpunësve profesionalë gjyqësorë, të cilët fitojnë statusin e nëpunësve të posaçëm administrativë, përkatësisht të një kategorie të veçantë të punësuarish në pushtetin gjyqësor me regjim të veçantë ligjor.
Vendoset një sistem i ri dhe më funksional i klasifikimit të vendeve të punës, përmes plotësimit të kategorive, niveleve dhe titujve të nëpunësve gjyqësorë, në përputhje me nevojat reale të gjykatave. Me këtë tejkalohen problemet praktike shumëvjeçare që lidhen me klasifikimin e papërshtatshëm të vendeve të punës, të marrë nga sistemi i nëpunësve administrativë. Njëkohësisht, vendoset një sistem i ri i punësimit dhe avancimit në detyrë, i përshtatur posaçërisht për shërbimin gjyqësor. Në vend të zbatimit të zgjidhjeve të marra nga sistemi i përgjithshëm i nëpunësve administrativë, futet një procedurë e veçantë që përfshin përzgjedhje administrative, provim dhe intervistë, duke siguruar përzgjedhjen e kuadrove më cilësore dhe më profesionale për nevojat e gjykatave.
Me zgjidhjen e re ligjore forcohet ndjeshëm edhe pavarësia institucionale e pushtetit gjyqësor. Këshilli Buxhetor Gjyqësor merr rol qendror në planifikimin e kuadrove përmes hartimit të një plani të vetëm vjetor të punësimit, i cili do t'u dorëzohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Administratës Publike për shqyrtim dhe njoftim, pa nevojën e miratimit paraprak. Me këtë zvogëlohet varësia nga pushteti ekzekutiv dhe forcohet autonomia kadrovike e gjyqësorit.
Ligji gjithashtu vendos një sistem të ri pagash, me të cilin rritjet e parashikuara në kontratat kolektive bëhen pjesë përbërëse e pagës bazë, duke siguruar një sistem të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të drejtë të vlerësimit të punës së nëpunësve gjyqësorë.
Njëkohësisht, rregullohet në mënyrë të saktë statusi i policisë gjyqësore, anëtarët e së cilës fitojnë stazh pune me beneficione, si dhe statusi i kategorive të tjera të të punësuarve në gjykata, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë.
Veçanërisht avancohet institucioni administrator gjyqësor. Për herë të parë vendoset një sistem i mirëfilltë karriere, i cili u mundëson nëpunësve gjyqësorë me përvojë dhe kualifikim të avancojnë në këtë funksion, mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë. Njëkohësisht, administratori gjyqësor bëhet pjesë e sistemit të përgjegjësisë disiplinore, duke forcuar më tej integritetin, llogaridhënien dhe profesionalizmin në shërbimin gjyqësor.
Me miratimin e Ligjit për shërbimin gjyqësor realizohet edhe një detyrim i rëndësishëm nga Agjenda reformuese dhe bëhet një hap i madh drejt ndërtimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional dhe efikas.

Accessibility Menu