„Ndihma juridike falas nuk është privilegj. Ajo është e drejtë. Qasja në drejtësi nuk duhet të varet nga gjendja materiale e qytetarit“, deklaroi Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në mbledhjen e tetëmbëdhjetë të Trupit Kombëtar Koordinues për Ndihmën Juridike Falas.
„Pas çdo kërkese për ndihmë juridike falas qëndron një njeri – me një problem konkret, një nevojë konkrete dhe një të drejtë që duhet të mbrohet. Prandaj, suksesin e sistemit nuk duhet ta masim vetëm përmes numrit të kërkesave të parashtruara ose aktvendimeve të miratuara, por përmes asaj nëse qytetari ka marrë në kohë ndihmë juridike cilësore dhe efikase“, theksoi Shasivari.
Ai theksoi se shteti ka detyrim të sigurojë një sistem në të cilin gjendja materiale nuk do të përbëjë pengesë për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave.
„Para ligjit të gjithë duhet të jemi të barabartë, ndërsa barazia ka kuptim të vërtetë vetëm nëse çdo qytetar ka mundësi reale për t’i mbrojtur të drejtat e veta. Askush nuk duhet të heqë dorë nga drejtësia sepse nuk ka mundësi ta përballojë atë“, deklaroi ministri i Drejtësisë.
Shasivari theksoi se Ministria e Drejtësisë ka rol qendror dhe përgjegjës në funksionimin e sistemit të ndihmës juridike falas, përmes Njësisë për ndihmë juridike falas, njësive rajonale dhe nëpunësve të autorizuar, të cilët janë drejtpërdrejt në dispozicion të qytetarëve.
Në këtë drejtim, si prioritete u theksuan qasja më e lehtë në informacionet juridike, procedurat më efikase, ndihma juridike në kohë dhe cilësore, si dhe forcimi i besimit të qytetarëve në institucionet.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup, Ministrisë së Drejtësisë, Odës së Avokatëve, Avokatit të Popullit, shoqatave të autorizuara të qytetarëve, klinikave juridike, ekspertë dhe partnerë të tjerë relevantë.