Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në fjalimin e sotëm para ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, konfirmoi përkushtimin e vendosur të Qeverisë për reformat në gjyqësor.
“Fokusi ynë në këtë periudhë është në masat me afat deri në qershor 2026. Po punojmë intensivisht, me dinamikë të qartë dhe rezultate të matshme”, theksoi Filkov.
Ai informoi se Ministria e Drejtësisë po punon në mënyrë aktive në ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të harmonizuara me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ku grupi i formuar i punës tash më ka mbajtur disa takime dhe ka miratuar një pjesë të konsiderueshme të zgjidhjeve të propozuara.
“Procesi është aktiv, transparent dhe synon konsensusin. Konsultimet me institucionet dhe sektorin civil janë në vazhdim dhe do të vazhdojnë me intensitet të shtuar”, theksoi Ministri.
Duke iu referuar reformave në gjyqësor, Filkov tregoi se Ligji për Këshillin Gjyqësor tashmë po jep rezultate konkrete.
“Kemi vendosur kritere të qarta, standarde të matshme dhe llogaridhënie aty ku më parë mungonin. Kjo është provë se reformat nuk mbeten vetëm në letër”, tha ai.
Ministri theksoi se ligjet kryesore për prokurorinë publike, të cilat morën opinion pozitiv nga Komisioni i Venecias, po përballen me sfida në procedurën parlamentare.
“Fatkeqësisht, gjatë procedurës parlamentare, opozita vendosi të bllokojë miratimin e këtij ligji kyç reformues për Prokurorinë Publike. Edhe pse shumica e amendamenteve të tyre u pranuan nga ana jonë, në vend të një kontributi konstruktiv, ata për fat të keq vendosën të bllokojnë perspektivën evropiane të vendit tonë”, theksoi Filkov, duke shtuar se “përgjegjësia për të ardhmen evropiane është e përbashkët dhe vendosmëria jonë mbetet e palëkundur”.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Drejtësisë vazhdon edhe me zgjidhje të tjera sistemike:
- Në kontekstin e sigurimit të parakushteve financiare për një gjyqësor funksional, është përgatitur një Propozim Ligj i ri për buxhetin gjyqësor. Parashikohet të krijohet një sistem i pavarur dhe i qëndrueshëm i financimit dhe forcimin e rolit të Këshillit të Buxhetit Gjyqësor.
- Plani i Veprimit për Luftimin e Korrupsionit në Gjyqësor 2026–2029.
- Forcimin e kapaciteteve për të luftuar krimin e organizuar, përmes punësimit të planifikuar të ekspertëve financiarë dhe forenzikës digjitale.
Me rëndësi të veçantë është përgatitja e Kodit të ri Penal, i cili është në proces të harmonizimit me direktivat më të reja të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe fushat e luftës kundër korrupsionit, konfiskimit të pronës dhe krimit ekologjik. Për më tepër, po bëhen harmonizime me Draft-Strategjinë kombëtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe dhuna në familje 2026-2033.
Paralelisht, po përgatitet një Ligj i ri i procedurës penale, i cili do të harmonizohet me standardet evropiane dhe praktikën ndërkombëtare. Të dy ligjet do t'i dërgohen Komisionit Evropian për një mendim.
Ministri Filkov falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke theksuar se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian mbetet çelësi për zbatimin e suksesshëm të agjendës reformuese.