Ministri i Drejtësisë Igor Filkov realizoi takim pune me përfaqësues të iniciativave të pavarura civile me kërkesë të tyre, në të cilin u diskutua për reformat në legjislacionin zgjedhor.
Në takim, ata u udhëzuan të dorëzojnë propozime dhe sugjerime konkrete për avancimin e legjislacionit zgjedhor, të cilat do të shqyrtohen nga grupi i punës, gjë që u pranua nga përfaqësuesit e iniciativave të pavarura civile. Dera e bashkëpunimit jo vetëm që është e hapur, por inkurajohet në mënyrë aktive.
Ministria e Drejtësisë zhvillon vazhdimisht konsultime me të gjitha palët e interesuara. Në periudhën e kaluar, u zhvilluan disa takime pune me institucione si Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, gjithashtu tani më është caktuar takim edhe me Komisionin Shtetëror për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit. Të gjitha propozimet nga këto institucione i dorëzohen grupit të punës dhe janë subjekt i shqyrtimit.
Procesi është transparent, gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjitha palët e interesuara relevante. Grupi i punës për reforma në legjislacionit zgjedhor po punon intensivisht dhe në të janë të përfshirë përfaqësues nga të gjitha partitë politike parlamentare dhe deputetë të pavarur, me qëllim të sigurimit të legjitimitetit politik dhe përfaqësimit të gjerë në krijimin e zgjidhjeve ligjore. Po shqyrtohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe të besueshëm.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar fuqishëm për ndërtimin e një sistemi zgjedhor në të cilin qytetarët do të kenë besim të plotë, ndërsa institucionet do të funksionojnë me përgjegjësi dhe transparencë, në interes të demokracisë dhe sundimit të ligjit.