Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në një intervistë për Kurir, duke iu referuar Agjendës së Reformave, tha se ajo është udhërrëfyesi që e kemi marrë si obligim para qytetarëve dhe Bashkimit Evropian.
“Agjenda e reformave nuk është vetëm një dokument. Çdo pikë në atë agjendë do të thotë diçka konkrete – gjykim i drejtë, gjyqtar i pavarur, mbrojtje e viktimave, më shumë besim. Kjo është agjenda që të gjithë më parë e injoruan, ndërsa ne po punojmë intensivisht dhe me përkushtim për të. Deri më sot, nga tetë ligjet me afat deri në qershor të vitit 2025 – shtatë tashmë janë dërguar në procedurë qeveritare: Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për pagat e gjyqtarëve, Ligji për pagat e prokurorëve publikë, Ligji për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, Ligji për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë, Ligji për shërbimin gjyqësor dhe Ligji për shërbimin prokurorial publik. Përveç këtyre ligjeve, në Qeveri janë dërguar edhe katër të tjera: Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, Ligji për procedurën civile, Ligji për kundërvajtjet dhe Ligji për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre”, thekson Filkov.
Sipas Filkov, qëllimi nuk është të shënohet "ligji i dorëzuar", por të dorëzohet një ligj që do t’i rezistojë kohës dhe testit të besimit.
“Ne nuk po nxitojmë, por po punojmë me kohë dhe në mënyrë substanciale. Çdo prej këtyre ligjeve është rezultat i debatit, konsultimeve dhe punës ekspertësh. Reformat janë serioze – dhe kjo shihet edhe nga fakti që Komisioni i Venecias dha një mendim pozitiv për Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Kjo nuk është një çështje e vogël. Është një vulë evropiane”, shton ministri i drejtësisë, Igor Filkov.
Lidhur me Ligjin për Këshillin Gjyqësor, i cili është në procedurë qeveritare dhe për të cilin Komisioni i Venecias dha mendim pozitiv, ministri Filkov vlerëson se kjo është një reformë rrënjësore e sistemit, i cili duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve, e jo në interes të pak individëve.
“Publiku me të drejtë është i tronditur nga skandalet dhe nepotizmi në trupin që duhet të jetë mbrojtës i pavarësisë gjyqësore. Ajo që pamë – nga injorimi i normave etike deri te shmangia nga përgjegjësia – është e papranueshme në çfarëdo shoqërie demokratike. Interpelanca nuk ishte vetëm një akt politik – ishte një thirrje për përgjegjësi morale. Por, me sa duket, disa e kanë humbur ndjeshmërinë për turpin publik. Prandaj, shteti duhet të vendosë rregulla të reja që nuk varen nga vullneti i mirë i individëve, por nga kritere të qarta dhe të përcaktuara ligjërisht. Me këtë ligj, më në fund vendosen kritere objektive dhe të matshme për përzgjedhjen, vlerësimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Përmes një procedure transparente, vlerësim të rregullt, përcaktimit të qartë të konflikteve të interesit dhe mekanizmave të përgjegjësisë, po ndërtojmë një sistem që do të parandalojë abuzimet, e jo t’i fshehë ato.”
A do të ketë rezistencë? Po, do të ketë rezistencë. Disa do të flasin për 'presione' dhe 'ndërhyrje'. Por nuk bëhet fjalë për presion, por për fundin e pozitave të mbrojtura pa llogaridhënie. Ky ligj do ta kthejë Këshillin te qytetarët, aty ku gjithmonë ka qenë vendi i tij. Drejtësia nuk duhet të jetë peng i individëve të paaftë ose të komprometuar. Kjo është shansi ynë i fundit për të rikthyer besimin në sistemin gjyqësor – dhe nuk do të lejojmë që ai të shkatërrohet nga ata që e shndërruan atë në kështjellën e tyre private”, tha në intervistën për Kurir ministri i drejtësisë Igor Filkov.
Linku i intervistës: https://kurir.mk/vesti/makedonija/filkov-reformskata-agenda-e-pat-kon-eu-ne-otstapuvam-od-idejata-za-pravna-drzhava-kade-kje-vladee-pravdata