Ministri i Drejtësisë Igor Filkov mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Avancimi i reformave zgjedhore në Maqedoninë e Veriut – nga rekomandimet drejt zbatimit”, e organizuar në kuadër të projektit “Programi për mbështetjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut”, i implementuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për sistemet zgjedhore (IFS), si dhe nga ODIHR-i përmes projektit “Mbështetja e reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Në fjalën e tij, Ministri Filkov tha se reformat zgjedhore janë segmenti kyç i zhvillimit demokratik të shtetit dhe një themel për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet dhe procesin zgjedhor.
Ministria e Drejtësisë i është qasur këtij procesi në mënyrë serioze, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë përgatitur mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, është formuar grup pune me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike parlamentare dhe deputetëve të pavarur, ndërsa paralelisht janë zhvilluar konsultime të gjera me institucionet relevante dhe sektorin civil.
“Megjithatë, për zbatimin e reformave thelbësore zgjedhore është i domosdoshëm konsensus i gjerë politik. Në këtë drejtim, Ministria e Drejtësisë shpreh keqardhje për vendimin e LSDSM-së për t’u tërhequr nga Grupi i punës në momentin kur po merren vendime kyçe, gjë që paraqet tërheqje nga procesi reformues dhe bllokim të tij. Pritet që ky vendim të rishqyrtohet në interes të integrimit evropian të shtetit dhe, para së gjithash, në interes të qytetarëve”, theksoi ministri Filkov.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të udhëhequr një proces gjithëpërfshirës, të bazuar në dialog të hapur dhe vendimmarrje të përbashkët. Ajo do të vazhdojë të udhëheqë në mënyrë aktive procesin e reformave zgjedhore, me qëllim sigurimin e zgjedhjeve të drejta, demokratike dhe kredibile.
Ministria mbetet e hapur për bashkëpunim dhe e gatshme të shqyrtojë dhe të përfshijë të gjitha propozimet konstruktive në drejtim të përmirësimit të legjislacionit zgjedhor.