Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në Valeta, Maltë mori pjesë në konferencën e ministrave të Drejtësisë me temën “Për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit transnacional”, dhe në të cilën morën pjesë vendet anëtare të Këshillit të Evropës.
Ministri, së bashku me kolegët e tij nga 43 vende anëtare, diskutoi për tre tema kryesore lidhur me forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në luftën kundër krimit transnacional, përfshirë: modernizimin e bashkëpunimit gjyqësor përmes mjeteve dixhitale; sfidat e reja në zbatimin e ligjit në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar; si dhe kufizimin e hapësirës së sigurt për krimin transnacional përmes forcimit të bashkëpunimit gjyqësor dhe sinergjisë ndërmjet autoriteteve kombëtare.
Duke folur për hapat e ardhshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar në procedurën penale, ministri theksoi se, përballë zhvillimeve të përshpejtuara teknologjike, krizave globale, luftërave dhe konflikteve nga njëra anë, si dhe metodave gjithnjë më të sofistikuara të krimit që vazhdon të gjejë mënyra të reja veprimi dhe që nuk njeh kufij, është e domosdoshme që të përmirësohet bashkëpunimi ndërkombëtar.
Pikërisht për këtë arsye, ministri nënvizoi angazhimin për modernizimin e mënyrave të bashkëpunimit ndërkombëtar, përmes komunikimit elektronik, konferencave me video, ndjekjes së komunikimeve dhe masës më delikate – përgimit të komunikimeve.
Megjithatë, duke marrë parasysh që ndërhyhet thellë në fushën e të drejtave të njeriut, është e nevojshme të krijohen rregulla të qarta për koordinim dhe balancim ndërmjet hetimit efikas dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.